Romela Begaj pas testit andidoping rrezikon shpërblimin e majmë

Peshëngritësja Romela Begaj, e cila në kampionatin e fundit botëror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u shpall kampione në stilin e shkëputjes dhe nënkampione bote në dygarësh, është në dyshime për përdorim dopingu, pas testeve te kryera nga federata boterore e peshngritjes.

Nëse testet A dhe B do të figurojnë pozitive, rekordmenja jonë e peshëngritjes do të rrezikojë një dënim që mund të variojë deri në 8 vjet pezullim, nisur nga faktet e disa shtangistëve që kishin të njëjtin fat. Por, njëkohësisht, ajo humbet edhe shpërblimin prej 100 milionë lekësh të vjetër, i cili i takonte, në bazë të ligjit për sportin, të aprovuar nga qeveria shqiptare.

EKSKLUZIVE e Top Channel, UEFA flet për zgjedhjet në FSHF

Për herë të parë UEFA sqaron zyrtarisht qëndrimin e saj rreth zgjedhjeve që do të zhvillohen më 7 shkurt në Shqipëri për postet drejtuese të FSHF-s.

Në një intervistë ekskluzive për Top Channel, Pedro Pinto, drejtori i Komunikimit në “qeverinë europiane të futbollit” flet rreth asaj që po ndodh me fushatën e kandidatëve në Shqipëri, qëndrimin e tyre për ndikimin politik mbi zgjedhjet dhe atë se çfarë do të ndodh në vazhdim.

“UEFA së bashku me FIFA-n po ndjekin nga afër zhvillimin e fushtës për zgjedhjet e 7 shkurtit dhe po informohen për të gjitha zhvillimet”, deklaroi për Top Channel, Pedro Pinto.

Të plotë intervistën e drejtorit të komunikimit të UEFA-s do ta ndiqni të plotë në edicionet e lajmeve të Top Channel.

Agolli: Shqipëria nuk ka shumë gjëra për t’u krenuar përveç futbollit

“Dikur futbolli shqiptar nuk bënte pjesë në asnjë hartë të Europës, ndërsa tani në sytë e të huajve shikohet me një mënyrë tjetër, e kjo jo vetëm për sa i përket kombëtares, por edhe për sa i përket kampionatit”.
I këtij mendimi është Ansi Agolli, kapiteni i Kombëtares shqiptare të futbollit, i cili në një intervistë për të përditshmen “Sport Ekspres” rrëfen se si e ka ndjekur ai ringritjen e futbollit deri në nivelet ku është sot.
“Kam rreth 13 vite që luaj me ekipin kombëtar A, por më parë kam luajtur edhe në kombëtaren U-19 dhe atë të 21-vjeçarëve. Në këto vite që kam qenë pjese e Kombëtares kam vënë re një zhvillim me hapa të mëdhenj të futbollit shqiptar dhe rezultatet nuk kanë ardhur rastësisht”, është shprehur Agolli.
Për të është e qartë se ky zhvillim i futbollit në vend është rezultat i punës së FSHF dhe presidentit Duka, teksa thotë:
“Kush ka arritur të jetë futbollist në kohen që Duka ka qenë president i ka parë edhe më mirë ndryshimet. Secili nga ne ka punën e vet tek skuadra ku luan, por ama askush nuk mund të ma fshijë mua kënaqësinë që më jep kur shikoj futbollin e vendit tim në nivele te larta. Të jemi realistë, Shqipëria nuk ka shumë gjëra për t’u krenuar përveç futbollit. Le të dalë dikush e të thotë që kemi avancuar në ndonjë sport tjetër, apo në ndonjë sferë tjetër të jetës, me hapa kaq të mëdhenj. Shqipëria ka ecur përpara në shumë drejtime, por askund aq sa futbolli.
Unë kam rreth 15 vite që e njoh Dukën. Kam marrëdhënie njerëzore dhe profesionale mjaft të mira me të. E kam parë vetë se sa pranë i ka qëndruar skuadrës ne momente të vështira dhe pasioni që ai ka për punën që ka bërë në Federatën Shqiptare të Futbollit, institucionin më frytdhënës në Shqipëri”.
Kapiteni i kombëtares nuk u shmanget edhe atyre që ditët e fundit e kane sulmuar së bashku me shokët e tjerë të kombëtares për mbështetjen publike që i kanë dhënë kandidaturës së Dukës për kreun e FSHF.
“Çdo ish-futbollist apo futbollist aktual i Kombëtares shpreh atë që ka parë dhe po sheh. Askush nuk flet për interesin personal apo për t’i bërë mirë federatës, sepse nuk është fushatë ku voton populli i thjeshtë, por sepse këto ndryshime janë të dukshme nga viti në vit. Për fjalët nuk e vras shumë mendjen, unë them atë që ndiej, qoftë kjo e saktë, apo e gabuar”.

Kaçe te Panathianaikos, mungon vetëm firma

Ergys Kaçe është vetëm një firmë larg Panathinaikosit. Mesfushori shqiptar tashmë ka marrë rrugën drejt Athinës për t’u bashkuar me klubin e dytë më të suksesshëm të Greqisë pasi nuk arriti të gjente hapësira në radhët e PAOK-ut ku gjatë këtij sezoni humbi edhe vendin e titullarit. Mesfushori i Kombëtares Shqiptare ka ndezur dritën jeshile për finalizimin e operacionit që po zhvillohet mes dy klubeve dhe përfshin disa lojtarë. Palët kanë gjetur gjiihën e përbashkët për transferimin e qëndërmnbrojtësit brazilian Rodrigo Moledo në Selanik, ndërsa Panathinaikos do të përfitojë rreth 400 mijë euro dhe shërbimet e lojtarit kuqezi. Lojtari brazilian do të bashkohet me PAOK-un gjatë orëve të ardhshme, ndërsa Kaçe pritet të nisë stërvitjen me skuadrën e tij të re ku kërkon të rifitojë vendin e titullarit për të mos humbur as trenin e Kombëtares Shqiptare. Ky do të jetë një kapitull i ri për 25-vjeçarin që e ka nisur karrierën në Greqi me PAOK-un ku është rritur si lojtar por me kalimin e viteve lojtarit iu ngushtuan hapaësirat, kjo edhe për shkak të çështjeve që nuk kanë aspak lidhje me futbollin. Gjithsesi, me transferimin në Athinë, mesfushori mund të shikojë përpara për t’u rikthyer vendimtar edhe pse konkurrenca në një skuadër si Panathinaikos është e madhe.

Fiorentino Perez, pret ofertat për largimin e CR7

Cristiano Ronaldo gjithnjë e më larg Realit të Madridit. Dëshira e 5-herë fituesit të Topit të Artë për t’i dhënë lamtumirën klubit merengues verën e ardhshme do të respektohet nga drejtuesit e Realit pasi presidenti Florentino duke u bazuar tek lajmet që raportojnë mediat portugeze i ka ndezur dritën jeshile agjentit të CR7-ës, Jorge Mendes për largimin e Ronaldos. Por edhe pse në shkurt sulmuesi luzitan do të mbushë 33-vjeç, Perez nuk do ta lërë Cristianon të largohet gati pasi i ka komunikuar Mendes-it që është gati të dëgjojë ofertat financiare të klubeve që janë të interesuara për lojtarin. Perez kërkon minimalisht 100 milionë euro për kartonin e Ronaldos. Dy skuadrat që interesohen më shumë për yllin portugez janë Manchester United dhe Paris Saint Germain nëse do të zgjedhë Djajtë e Kuq për Ronaldon do të bëhej fjalë për një rikthin në “teatrin e ëndrrave” aty ku u bë i famshëm si futbollist.

Arsenali i rinovon kontraten Jack Wilshere, por me ulje page

Arsenali do t’i ofrojë rinovimin e kontratës Jack Wilshere, por për këtë lojtari duhet të pranojë uljen e pagës javore. Mesfushorit anglez i skadon kontrata me “Topçinjtë” në fund të këtij sezoni dhe aktualisht përfiton 112 mijë euro në javë. Megjithatë, sipas “Daily Express”, klubi londinez do t’ia reduktojë me 20 mijë euro në javë pagën në kontratën e re. Nga ana tjetër Arsenali rrezikon të humbasë yjet e ekipit si Alexis Sanchez dhe Mesut Ozil.

Fino dhe projektet madhore, a do të bashkëpunojë me qeverinë?

Bashkim Fino është larguar nga posti i Sekretarit Organizativ dhe Administrativ të Partisë Socialiste, duke mbetur deputet deri në zgjedhjet për kreun e FSHF-së, ku ai është një ndër dy kandidatët në garë.

Privatizimi i klubeve dhe ndërtimi i disa stadiumeve moderne janë disa nga premtimet më të bujshme të Finos, i cili gjithashtu ka premtuar pastrimin e futbollit dhe bashkëpunimin me Prokurorinë për të goditur çdo tentativë manipulimi në futboll.

Premtime të mëdha, natyrisht mjaft pozitive nëse realizohen, por këtu ka disa probleme dhe më i madhi, përtej faktit që duhen gjetur dhjetëra milionë euro për stadiumet, është bashkëpunimi me qeverinë.

Përtej pretendimit të Finos se nuk do të ketë asnjë lidhje me Partinë Socialiste nëse fiton, sepse do të largohet nga Parlamenti, është e qartë që shpresa e madhe e tij për të realizuar reformat, duke nisur nga privatizimi i klubeve, është bashkëpunimi me qeverinë aktuale.

Megjithatë, kjo lidhje e padukshme me politikën ka edhe anën tjetër të medaljes: po sikur pas disa muajsh apo pak vitesh qeveria aktuale ndryshon dhe vjen në pushtet opozita aktuale? Të jemi realistë, sado të pretendojë Fino se nuk ka më lidhje me PS-në, kundërshtarët e tij politikë do ta bllokojnë totalisht. Nuk është e ndershme, por jemi në Shqipëri, e dimë fare mirë luftën që bëhet në çdo drejtim mes dy partive të mëdha.
Po atëherë, si do të realizoheshin projektet në letër të Finos? Vetëm me paratë që Federata merr nga UEFA dhe FIFA? Pa ndihmën e qeverisë për stadiumet, qoftë edhe për leje ndërtimi, duke e nisur nga minimalja? Si do realizohet procesi i privatizimit, kur nuk kemi asnjë ligj dhe nëse nuk e përfundon në kohë Partia Socialiste, dihet çfarë do të ndodhë nëse Fino do të ketë përballë Partinë Demokratike?

Shumë politikë në mes, por nuk evitohen dot disa pyetje që i ngre çdo tifoz i thjeshtë që nuk e vret mendjen kush është në pushtet apo në FSHF, dëshiron ndonjë fushë e stadium më shumë, pak më shumë besim te futbolli në vend dhe tek e ardhmja e tij. Të shohim!

Duka: Politika nuk më tremb, por po cenohet imazhi i FSHF

Gara për drejtimin e FSHF ka nisur nën hijen e ndikimit të politikës, për sa kohë që njëri nga kandidatët më të rëndësishëm, hyn në këtë proces si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe sekretar organizativ i Partisë Socialiste.

Por kreu aktual i FSHF, Armand Duka duket i mësuar me presionet e politikës, që nuk kanë qenë të pakta në këto vite që ai drejton institucionin më të lartë të futbollit në vend.

Në një intervistë të dhënë për të përditshmen “Panorama Sport”, duke është shprehur: “Gjatë gjithë aktivitetit tim në krye të FSHF jam përballur shumë herë me politikën dhe po aq herë kam treguar se nuk i trembem asaj apo presionit që mund të vijë nga segmente të caktuara të lidhura me të. Nuk kam asnjë arsye të ndryshoj tani”.

Gjithësesi Duka thotë se duke kandiduar përpballë Finos është duke vendosur një rekord të ri jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë e më gjerë. “Po konkurroj përballë një figure që vjen nga radhët e politikës dhe që mesa duket nuk është bindur ta lërë mandatin e deputetit apo detyrën e sekretarit organizativ të partisë për t’u bërë pjesë e komunitetit të futbollit. Kjo nuk ndodh në Europë. Dokumentet themeltarë të FIFA-s dhe UEFA-s kanë sanksionuar se futbolli dhe strukturat e tij duhet të jenë qartësisht të ndara nga çdo ndikim politik apo fetar”, ka theksuar Duka në intervistën e tij.

Kreu i FSHF ka bërë edhe një pasqyrë të atyre që ai I konsideron si rezultatet më domethënëse të Federatës nën drejtimin e tij, e që njëkohësisht janë edhe gurët e themelit për mandatin e ardhshëm.

“Masivizimi i futbollit, përmirësimi i ndjeshëm i infrastrukturës, forcimi i garës sportive përmes një superlige shumë kompetitive, mbështetja financiare e klubeve përmes marketimit më të mirë të kampionatit dhe dhënies së stimujve shtesë, rezultatet fantastike të Ekipit Kombëtar dhe klubeve shqiptare ne Europë, janë disa premtimet e mbajtura të mandatit tim në krye të FSHF. Besoj se këto premtime të mbajtura, e madje në disa raste të tejkaluara janë arsye të forta që komuniteti i futbollit të jetë bindur tashmë se unë jam një njeri i fjalës së mbajtur”, është shprehur Duka.

Po cila është marrëdhënia aktuale e kreut të FSHF me kreun e Qeverisë dhe a ka garanci se ai nuk do të ndërhyjë në këto zgjedhje. Duka nuk komenton marrëdhënien personale, por vlerëson mbështetjen personale të Ramës dhe qeverisë “sidomos në investime dhe në momentin e Europianit”. Gjithesesi për Dukën shteti nuk ka bërë aq sa duhet për të mbështetur futbollin, veçanërisht për politikat e taksimit të atyre që investojnë në sport dhe në janë ata që e mbajnë gjallë sportin.

FFK AKORDON ÇMIMIN E MIRËNJOHJE PËR ARMAND DUKËN

Kosova përcakton edhe lojtarët më të mirë për vitin 2017 në futboll në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare . Në ceremoninë “Gala” të ndarjes së çmimeve ishte prezent sot edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Për të dytin vit radhazi futbollisti më i mirë i Kosvës u shpall Valon Berisha, mesfushori i Salzburgut, i cili fitoi konkurrencën e Amir Rrahmanit dhe Hekuran Kryeziut. Kete çmim 24 vjeçari e mori falë paraqitjeve të mira me Salzburgun dhe Kosovën.

Ndërkaq, futbollisti më i mirë i Superligës së Kosovës u shpall Florent Hasani, çmim që iu akordua nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Ndërkaq, në ceremoninë e kësaj të premteje, Federata e Futbollit në Kosovë nderoi me Çmimin e Mirënjohjes, Presidentin e FSHF-së, Armand Duka për bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy federatave të të dy vendeve. Presidenti Vokrri i dha homologut të tij shqiptar këtë çmim duke cituar vlerësimin e madh të bashkëpunimit dhe angazhimin e Presidentit Duka në progresin e futbollit kosovar. Kreu i FSHF-së theksoi se bashkëpunimi i mëtejshëm mes të dy federatave do të rrisë ndjeshëm tempin dhe etapat e tij në vijimësi.

Mërgim Mavraj i bindur në fitoren e Armand Dukës në krye të FSHF

Armand Duka kërkon mandadit e pestë në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe pas shumë futbollistëve, edhe Mavraj e ka mbështetur 55 vjeçarin.
Presidenti aktual i FSHF-së, Armand Duka, ka rikandiduar dhe e kërkon mandatin e pestë në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Për këtë, Duka ka marrë mbështetje të fuqishme edhe nga lideri i Kombëtares shqiptare, Mergim Mavraj, i cili shpreson se do t’i fitojë ai sërish zgjedhjet.