Derbi shqiptar në debutim, Ançeloti: Kam emocione

Elseid Hysaj dhe Thomas Strakosha do kenë diçka për t’i thënë njëri-tjetrit, sot, në “Olimpico” të Romës: do flitet për pushimet, por mbi të gjitha në mendje do jetë sfida Lacio-Napoli.

Një “derbi” mes shqiptarëve në javën hapëse të Serisë A (nga stoli, për Simone Inzagin, do jenë të gatshëm edhe Riza Durmishi e Valon Berisha, të dëmtuar), që nis me Kievo-Juventus (ora 18:00), ndërsa në mbrëmje (20:30) mbrojtësi dhe portieri do përpiqen ta nisin me fitore sezonin e ri. Do jetë, ndër të tjera, edhe “debutimi” në stolin e Napolit i Karlo Ançelotit, pasi trajneri “veteran” italian prishi kontratën me Bajernin e Mynihut. Flet Ançeloti – Edhe pse ai lëshoi alarmin dhe nuk ka qenë aspak i kënaqur nga faza përgatitore që ka bërë Napoli i tij, sidomos në detyrat mbrojtëse, gjithsesi Karlo Ançeloti paraqitet i qeshur përpara këtij debutimi.

“Jam i emocionuar, mjaft i lumtur sepse rikthehem në Itali pas 9 vitesh. Shumë gjëra kanë ndryshuar. Sa kohë do të duhet për të parë Napolin e vërtetë? Mendoj se që me Lacion do të jemi të balancuar. Disa teste kanë shkuar mirë, disa të tjerë më keq, por kur ndryshon, koha është e domosdoshme dhe mos prisni ndonjë revolucion nga unë. Sfida me Lacion? Nuk do të jetë e lehtë, sepse do të kemi përpara një skuadër që luan shpejt, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm nëse duam që ta nisim mirë”, tha trajneri i Napolit.

Buffon nuk ndalet, historia me Kombëtaren Italiane e papërfunduar

Më 23 mars në Manchester, në miqësoren mes Italisë dhe Argjentinës, në portën e të kaltërve do të jetë sërish Gigi Buffon. Të paktën kjo është ideja e trajnerin të përkohshëm Gigi Di Biaggo, i cili ka ndërmend ta grumbullojë 40-vjeçarin për testet që do të zhvillohen në Angli. Vetëm katër ditë pas përplasjes me Messin, italianët do të luajnë kundër pëfaqësueses së “Tre Luanëve”.
Historia e dashurisë mes portierit tashmë legjendar dhe Kombëtares së Italisë duket se nuk mund të mbyllet me lotët e asaj mbrëmjeje të hidhur, kur u shua shpresa për të marrë pjesë në “Rusi 2018”.
Buffon është rekordmen sa i përket numrit të pjesëmarrjeve me të kaltrit (174 ndeshje), por i duhet edhe një takim me shiritin e verdhë në krah, për të thyer edhe rekordin e ndeshjeve si kapiten (80). Do të ishte një tjetër arritje e madhe gjatë një karriere të lavdishme. Të paktën në ndeshjet para Botërorit, Buffon, për kënaqësinë e të gjithë tifozëve të Kombëtares Italiane, do të shfaqet sërish mes shtyllave.

Humbën me Napolin, ja si ngushëllohet Strakosha

Gjendet dhe një ngushëllim për Wallace në profilin e Instagram-it të Thomas Strakosha. Portieri i kombëtares kuqezi, i cili pësoi autogol nga braziliani në përballjen kundër Napoli-t, dëshiron të qetësojë shokun e skuadrës dhe të rikthehen më të fortë se më parë. Ja dhe Instagram Story e numrit një të bardhekaltërve.

Kjo është Lazio e mundur, ajo që doli nga ndeshja e San Paolo. Napoli fiton 4-1, Lazio luan për një pjesë. Probleme që shihen në anën mendore dhe pasiguria në lojë janë disa nga çështjet themelore që kanë nevojë që të shihet përpara, duke nisur nga ndeshja e së enjtes kundër Steaua Bukuresht, e vlefshme për Europa League.

Portieri i Lazio-s dhe kombëtares së Shqipërisë, Thomas Strakosha, dëshiron një reagim të menjëhershëm, siç dëshmon një postim pikërisht në llogarinë e tij në Instagram: “Kurrë mos u dorëzo!”.

E ardhmja e Hysajt varet nga Sarri, Arsenali dhe Man. United vigjilentë

E ardhmja e Elseid Hysajt te Napoli është e lidhur me vazhdimësinë e Maurizio Sarrit në krye të skuadrës nga Campania. Nuk është thjesht një spekulim mediatik, por deklarata e menaxherit të futbollistit shqiptar, Mario Giuffredi.

“Merkatoja e verës e Napolit do të varet nga qëndrimi ose jo i Maurizio Sarrit në pankinën e të kaltërve. Mendoj se në këtë moment të gjithë duhet të mendojnë për të fituar titullin.”

Kontrata e Hysajt skadon në vitin 2021, por kjo nuk do të thotë se mund të qëndrojë gjatë në Napoli e aq më tepër të mendohet që tani për rinovimin e kontratës. Në fakt, kjo deklaratë e menaxherit të 24-vjeçarit ka bërë përshtypje edhe në mediat britanike, të cilat këmbëngulin se Hysaj është objektiv i Manchester United dhe Arsenalit, ndaj largimi i Sarrit i hap rrugë transferimit të mbrojtësit shqiptar në Premier League. Emri i Sarrit, që bëri të mundur blerjen e Hysajt nga Empoli, është përmendur si zëvendësues i mundshëm i Arsene Wenger te “Topçinjtë”, por edhe si një kandidat i mundshëm për të marrë drejtimin e Realit të Madridit, Chelsea-t apo Atleticos së Madridit. Nëse 59-vjeçari shkon tek Arsenali, do të tentonte të merrte nga pas edhe shkodranin. Edhe Jose Mourinho i admiron cilësitë e Hysajt si një lojtar punëtor dhe që u përshtatet më së miri kërkesave të tij taktike, sidomos në fazën mbrojtëse. Gjithsesi, duhet pritur përfundimi i sezonit për të kuptuar më mirë se cila do të jetë e ardhshmja e Elseid Hysajt.

Juventusi gati të marrë kreun e Serisë A, PSG do kthesën ndaj Montpellier

Në Itali Juventusi është bërë gati për momentin e parakalimit dhe në orën 20:45 bardhezinjtë kanë një rast të shkëlqyer për të marrë 3 pikët e radhës, teksa do të matin forcat me Chievon në “Bentegodi”, ku “Zonja e Vjetër” ka fituar pa shumë probleme pesë vizitat e fundit. 3 pikët në këtë transfertë do të vinin nëbn presion Napolin, që të dielën pret Bolognan. Allegri ka vendosur të lërë në stol Chiellinin, ndërsa Buffon rikthehet nga dëmtimi, por jo titullar. Mbeten jashtë listës së të grumbulluarve Marchisio, Howedes, Dybala e Cuadrado. Më herët, në orën 18:00, Serie A ofron duelin interesant Sassuolo – Atalanta.
Me interes pritet dueli i kampionatit holandez i orës 19:45 në Enschede Twente – PSV Eindhoven, ndërkaq Le Championnat përbën një rast të shkëlqyer për të ndjekur dominuesit e futbollit francez Paris SG, në duelin e tyre në kryeqytet me një kundërshtar si Montpellier, ndërsa si gjithmonë hapësirë të veçantë rezervon Bundesliga që ofron në orën 15:30 kampionët në fuqi të Bajernit të Mynihut, në takimin në “Allianz Arena” ndaj Hoffenheimit, si dhe duelin e orës 18:30 Werder – Hertha, përballje të cilat të apasionuarit e futbollit gjerman do të kenë mundësi për t’i ndjekur si zakonisht nëpërmjet kanalit Eurosport 2.
Këtë e shtunë, në Supersport, do të ketë hapësirë gjithashtu edhe për kompeticionin më të vjetër në rruzull FA Cup, ku fillimisht në Rodney Parade në orën 18:30 Tottenham Hotspur do të sfidojë një kundërshtar të League Two si Newport County, ndërsa më vonë, në orën 20:45, Liverpuli do të presë në “Anfield” një tjetër ekip nga Premiershipi si West Bromwich Albion.

Murinjo do Elseid Hysajn te Mançesteri, stafi i portugezit po e vëzhgon

Mbrojtesi i kombetares sone, Elseid Hysaj po vëzhgohet nga Zhoze Murinjo. I cili prej kohësh, drejtuesit e Junajtid dhe stafi i trajnerit portugez, po monitoron mbrojtësin shqiptar që aktivizohet në rradhet e Napolit.

Shkodrani është një nga lojtarët më të rëndësishëm të formacionit të Sarrit dhe luan si titullar thuajse në të gjitha kompeticionet.

Sensi i lartë i përshtatshmërisë së tij, si në krahun e majtë, ashtu edhe në të djathtë, ka bërë që shpeshherë të ndihmojë ekipin kur është në vështirësi, cilësi për të cilën Zhoze Murinjo e vlerëson maksimalisht.

Deri tani, për 23-vjeçarin janë ofruar 25 milionë paund nga skuadra e Junajtid, por Napoli kërkon që “djajtë” të paguajnë klauzolën e tij 50 milionë euro, me e larta ne histori kjo per nje futbollist te Shqipërisë.

Strakosha superstar, edhe Juventusi interesohet

Veç skuadrave italiane edhe shumë ekipe angleze duan shërbimet e shqiptarit

Tani po që mund të flasim për ekipe të mëdha! Thomas Strakosha kërkohet nga gjysma e Serisë A, me Milanin e Juven, që duan me çdo kusht shërbimet e shqiptarit. Dhe jo vetëm këto dy ekipe. Sajti italian, calciomercato.it ka analizuar skuadrat që mund të interesohen për Strakoshën. Në krye të kolonës është Milani. Skuadra kuqezi është njëra prej atyre ekipeve, që kanë hedhur sytë nga talenti shqiptar i portës. Kuqezinjtë, tashmë janë të ndërgjegjshëm se Donaruma mund të largohet dhe nuk duan të gjenden të papërgatitur. Kështu që Strakosha shihet si pasuesi ideal i portierit italian.
Po ku ka talente është edhe Zonja e Vjetër. Në fakt, bardhezinjtë e kanë një portier zëvendësues të Bufonit. Ai është Vojçek Shezni. Polaku paraqitet shumë mirë, këto kohë, duke zëvendësuar Xhixhi Bufonin e dëmtuar dhe është një garanci, ndonëse juventinët pëlqejnë shumë Strakoshën. Thomasi është etiketuar nga agjenti i Bufonit si më i miri në Serinë A. Talenti shqiptar i 1995-ës mund të jetë fare mirë në krah të polakut, me më të mirin që mund të luajë në fushë, ndonëse do ta nisë si portier i dytë.
Ekipi i tretë që kërkon Strakoshën është Napoli, që në të vërtetë është një prej klubeve më aktive. Napoletanët nuk e kanë rinovuar ende kontratën me Reinën që skadon në fund të këtij sezoni, e kanë drejtuar vëmendjen e tyre pikërisht nga Strakosha që duket se ka ngjallur interesin edhe të ndonjë klubi nga La Liga e Premier League. Pavarësisht vullnetit të presidentit Lotito për ta mbajtur në skuadër, në adresën e Lacios po vijnë shumë oferta nga klube të mëdha dhe Lacio mund të vendosë ta shesë shqiptarin e portës. Kujtojmë që Thomas Strakosha është një nga lojtarët më të mirë në Europë për momentin. Dhe sipas Eurosport ai konsiderohet si portieri më i mirë në qarkullim në këtë periudhë në Europë. Eurosport, duke iu referuar paraqitjes së lojtarëve të ndeshjes me Fiorentinën dy ditë më parë, e ka vlerësuar Strakoshën e Shqipërisë, por si pjesë e Lacios me notën 6.5, një notë mjaft e mirë. Duke komentuar formën e Strakoshës, Eurosport evidenton faktin se portieri kuqezi është nga më të mirët në qarkullim. Strakosha ishte përcaktues me pritjet e tij në ndeshjen çerekfinale të Coppa Italia kundër Fiorentinës, një ndeshje e fituar ngushtë nga Lacio me shifrat 1-0. Ishte një ndeshje ku gardiani shqiptar tregoi dhje një herë se nuk është i rastësishëm si titullar në portën e Lacios. Talenti shqiptar po luan sezonin e tij të dytë si titullar tek skuadrës së parë. Këtë vit Strakosha ka luajtur 24 ndeshje në të gjitha kompeticionet me 28 gola të pësuar, ndërkohë që në 7 sfida ai ka mundur ta mbajë të paprekur portën e tij. Lacio e ka blinduar 22 vjeçarin, i cili në 21 tetor firmosi kontratën e re me klubin roman që skadon në vitin 2022.

Thomas në Instagram: Jemi të mrekullueshëm
Lacio eliminoi Fiorentinën dhe kaloi në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë, por nga ana tjetër futbollisti shqiptar Thomas Strakosha ka reaguar në Instagram. Një fitore e kërkuar dhe e arritur, mbrojtur me çdo mjet. Ju lumtë djem! Të falënderojmë tifozët tanë që gjithmonë janë aty me ne”.

Talenti i Juventusit: Kam marrë ftesë nga Shqipëria dhe Kosova

Shqipëria ka shumë talente të shpërndarë në të gjithë botën, por një ndër emrat më premtues është padyshim Qendrim Kameraj. Me siguri që do të keni dëgjuar për të, pasi 18-vjeçari është pjesë e Juventusit, teksa luan me ekipin e moshave.

Kameraj është transferuar nga Luzerni te bardhezinjtë, teksa këtë sezon, po zhvillon një sezon mjaft të mirë. Talenti shqiptar po i kalon pushimet, teksa nuk ka ngurruar që të flasë për të ardhmen e tij në një intervistë për “KTV”.

“E kam nisur karrierën që në moshën 5 vjeç, për ekipin e FC Bikon, një klub i vogël në Luzern. Në moshën 10 vjeç jam transferuar te ekipi i Luzernës, i cili është klubi më i madh, ku shkojnë lojtarët më të mirë. Aty kam luajtur me ekipin e moshave, por edhe jam stërvitur me skuadrën e parë, ku jam aktivizuar në ndeshjet miqësore.

18 -vjeçari ka kontratë tri-vjeçare me klubin italian, teksa pozicioni i tij është në krahun e djathtë si mbrojtës apo mesfushor.

“Kam luajtur me Zvicrën nga U 15 deri në U 19. Aty erdhën skaut nga skuadra e Juventusit, të cilët më pëlqyen. Këtë sezon jam aktivizuar në 11 ndeshje nga 16 ekipe në total, por edhe në “Youth League”, ku kam shënuar një gol”.
Kameraj ende nuk ka vendosur për të ardhmen, teksa ka mundësinë për të luajtur për Shqipërinë, Kosovën dhe Zvicrën.

“Më kanë kontaktuar Kosova dhe Shqipëria, por duhet ta diskutoj me familjen nëse duhet të ndërrojë kombëtaren. Dëshira? Do të shohim. Ende nuk e kam menduar”, u shpreh futbollisti i Juventusit.
Burimi: vipsport.al

Nuk po gjen hapësira te Breshia, Ndoj pëlqehet nga një tjetër klub italian

Emanuele Ndoj nuk po gjen shumë hapësira te skuadra e Breshias dhe merkato e janarit mund të sjellë ndryshime për të. Mediat italiane shkruajnë se mesfushori i Kombëtares shqiptare po vëzhgohet nga Avelino dhe këta të fundit e shohin si një opsion të mirë për të përmirësuar cilësinë në repartin e mesfushës.

Ai ka qenë pranë Avelinos edhe në merkatot e tjera, por asnjëherë nuk është konkretizuar transferimi i tij. Ndërkohë, Frederik Veseli është shndërruar në një lider të Empolit dhe po ndihmon skuadrën për t’u rikthyer në Serinë A. Ditën e djeshme, mbrojtësi kuqezi ka thënë se ndeshja e ardhshme shërben për t’u afruar më shumë me kreun.

“Ndryshimet tek Empoli ndodhën shumë shpejt. Trajneri i ri luan me katër mbrojtës dhe nuk kam asnjë problem për t’u përshtatur. Në Kombëtare kam luajtur gjithmonë me 4 mbrojtës”, ka thënë Veseli.

Aktivizimi i Higuain ndaj Napolit, jo i pamundur

E pabesueshme, por e vërtetë! Gonzalo Higuain mund t’ia dalë mbanë dhe të grumbullohet për sfidën ndaj Napolit ditën e premte. Tek Juventusi janë optimistë që “El Pipita” mund të bashkohet me grupin pas operacionit në dorë dhe pasi të vlerësohet gjendja e tij, do të vendoset nëse do të jetë titullar apo do ta nisë nga stoli. Sigurisht që në Itali kanë nisur të mendojnë që kjo është një taktikë e klubit për të çekulibruar kundërshtarin, por administratori Beppe Marotta ka dhënë lajmin e mirë se sulmuesi argjentinas ka nisur fazën e rehabilitimit dhe prania e tij në “San Paolo” të premten do të varet nëse do të ndjejë dhimbje në dorën e operuar. 30-vjeçarit i është vendosur një mbrojtëse, që lejohet në fushën e lojës. Për momentin, mjekët nuk janë shprehur, por pritet që ta thonë fjalën e tyre në momentin fundit. Autor i 8 golave në kampionat në 13 ndeshje, Higuain po provon gjithçka për të qenë i gatshëm kundër rivalëve më të forte për titullin.