Nevill kapitullon para shqiptarit Xherdan Shaqiri!

Geri Nevill, legjenda e futbollit anglez më në fund është dorëzuar përballë Xherdan Shaqirit. Pak ditë më parë, ai e shante Shaqirin si një lojtar që nuk luan për skuadrën e tij dhe që nuk bën asgjë për të ndihmuar shokët, ndërkohë që në një emision të “Sky Sport”, ai ka veshur pikërisht fanellën e Shaqirit.

Ka qenë një bast mes Xhimi Karragher dhe Geri Nevill e duke qenë se ky i fundit humbi në ndeshjen me penallti mes tyre, gjatë mbrëmjes së djeshme ka veshur fanellën e lojtarit që urren më shumë në Premier Ligën angleze.

Videot dhe fotot e Nevill me fanellën e lojtari më të ri të Liverpulit, kanë bërë menjëherë xhiron e botës, duke shkaktuar edhe shumë humor në botën e sportit, pasi ka qenë vetë Shaqiri ai i cili e ka dorëzuar fanellën në redaksinë e “Sky Sport”, ku edhe shkruante “Për fansin tim numër 1, Geri Nevill. Të lutem, mos e shit këtë fanellë në internet!” /Erjon Allaraj-Vipsport.al/

Tjetër sinjal turk për Mavrajn, një ekip kontakton mbrojtësin

Mërgim Mavraj vazhdon të jetë në kërkim të një skuadre për të vazhduar karrierën e tij. Lojtari i cili mund të transferohet kudo me parametër zero, ai vazhdon të mbetet pa skuadrën, ndonëse nuk kanë munguar kontaktet me klube të ndryshme në kampionatet europiane dhe Arabinë Saudite.


Gjatë javës së kaluar, për lojtarin ka dalë në skenë një variant i ri, pasi për të është interesuar një klub turk i cili është i gatshëm të përforcojë radhët e prapavijës me mbrojtësin shqiptar. Bëhet fjalë për Bursaspor, një skuadër e mesit të tabelës e cila synon që në këtë edicion të luftojë për një pozicionim në zonën e Europës dhe të kthehet në arenën ndërkombëtare ku mungon që nga viti 2014.

Klubi ka hedhur sytë nga mbrojtësi shqiptar dhe mësohet se ka pasur disa negociata mes palëve, por për momentin nuk është konkretizuar ende asgjë. Mavraj po stërvitet individualisht në mënyrë që të mos ketë probleme kur të shkojë në klubin e ri, por për momentin, duket se do të ketë shumë vështirësi jo vetëm të gjejë skuadër, por edhe të ingranohet në manovrën e ekipit duke mos u aktivizuar dhe shtuar telashet për trajnerin e përfaqësueses, Kristian Panuçi, para Ligës së Kombeve. /vipsport.al/

Zyrtare/ Klubi spanjoll nuk iu ndahet futbollistëve shqiptarë, merr edhe sulmuesin e Shpresave

Atdhe Rashiti është futbollisti shqiptar tjetër që është transferuar në Spanjë. 19-vjeçari i cili është pjesë e Kombëtares Shpresa ka firmosur së fundmi me Deportivo Alavesh B, kujtojmë që ky klub, pak kohë më parë, firmosi edhe me Çinarin e Vllaznisë, por ky transferim ka rezultuar me probleme, dhe çështja pritet të zgjidhet në FIFA.

Talenti kuqezi, i cili është rritur tek akademia e Bazelit, ku edhe ka shënuar 27 gola në 73 takimi, do të vazhdojë karrierën në Spanjë.

Sulmuesi është grumbulluar për herë të parë nga Kombëtarja Shpresa në muajin maj, në ndeshjen miqësore ndaj Bosnjës. Ai u aktivizua përgjatë gjithë pjesës së dytë dhe dha sinjale pozitive.


Transferimi i Rashitit u bë publik nga vetë klubi spanjoll nëpërmjet një deklaratë zyrtare, teksa 19-vjeçari pritet të ndihmojë skuadrën në përballjen ndaj Barcelonës B.

Incidenti në Korçë, reagon Partizani!

Nëpërmjet një deklarate për shtyp në faqen zyrtare, klubi i Partizanit ka reaguar në lidhje me përplasjen e tifozëve të ndodhur në ndeshje Skënderbeu-Partizani. Të kuqtë nuk pajtohen kurrsesi me ngjarje të tilla që prishin imazhin dhe nuk i shërbejnë futbollit. Sipas Partizanit, prezenca e stjuartëve privat në stadium nuk mund të quhet eksperiment nga momenti kur është bërë ndryshimi i ligjit dhe rolin kryesor në mbarëvajtjen e garës e ka klubi pritës.

DEKLARATA:

Përgjatë ditëve të fundi klubi Partizani ka monitoruar dhe ndjekur me qetësi të gjitha informacionet e pasqyruara nga mediat e shkruara, portalet, studiot televizive dhe opinionet nga njerëzit e komunitetit të sportit, në lidhje me incidentet e ndodhura në takimin premier të Kampionatit, Skënderbeu – Partizani.  Saktësojmë se klubi ynë nuk pajtohet kurresi me ngjarje të tilla të cilat prishin imazhin dhe nuk i shërbejnë futbollit të luajtur dhe Fair Play- it në fushë dhe tribuna.

Përgjatë gjithë ditëve të fundit episodet e shfaqura në Korçë janë komentuar si dështim i eksperimentit pa prezencën e forcave të rendit. Fakt është se prezenca e stjuartëve privat në stadium nuk mund të quhet eksperiment nga momenti kur është bërë ndryshimi i ligjit dhe rolin kryesor në mbarvajtjen e garës e ka klubi pritës. Theksojmë se klubi Partizani për vite me radhë ka zbatuar me rigorozitet dhe korrektësi organizimin dhe mbarëvatjen e ndeshjeve në kryeqytet, duke mos shënuar qoftë edhe incidentin më të vogël, i cili cënon aktivitetin apo garën sportive.

E riktheksojmë ne si klub nuk pajtohemi kurrsesi me ngjarjet fundit të ndodhura mes dy tifozerive, ndaj gjithmonë do të mbetemi të hapur për të bashkëpunuar me të gjitha instancat përgjegjëse të përfshira, për një mbarëvatje sa më korrekte të aktiviteteve sportive.  Klubi Partizani e ka për detyrim rikthimin e tifozëve në stadium duke u evidentuar edhe si klubi me mbështetësit më të shumtë në vend. Objektivi madhor i yni është që ti kthejmë stadiumet në arena argëtimi, pasi sporti luhet për publikun dhe ky duhet të jetë misioni dhe objektivi parësor i çdo klubi.

Te Partizani marrëdhëniet klub + tifozeri janë një binom i pandashëm. Falë takimeve dhe kontakteve thuajse çdo javë , pjesë kjo e politikës së klubit, synojmë të përmirësojmë dhe forcojmë gjithnjë e më shumë bashkëpunimin me tifozerinë tonë, e cila është pjesë thelbësore me prezencën dhe mbështetjen pa kushte që i jep skuadrës në çdo ndeshje.

Modriç i është premtuar Interit

Luka Modriç kishte një dëshirë të madhe për t’u transferuar tek Interi dhe pavarësisht se vendosi të qëndrojë, pas një bisede me prensidentin Florentino Perez, kjo bashkëjetesë, e cila mund të zgjasë maksimumi edhe për këtë sezon, duket se do të jetë e sforcuar. Fundja, akordin mes fantazistit kroat dhe Interit e konfirmoi edhe deponimi i tij në FIFA, pro klubit italian.
Pas denoncimit që Reali i Madridit i bëri zikaltërve, Modriç i thirrur për të sqaruar çështjen, nënvizoi se nuk ishte kontaktuar personalisht nga italianët dhe në këtë mënyrë, denoncimi i “Galaktikëve” shkoi më kot.

Shkurt, e gjithë kjo histori mes Modriçit dhe Realit të Madridit pritet që të përfundojë verën tjetër, pse jo ndoshta edhe në merkaton e janarit, sepse sipas zërave të fundit nga media spanjolle, lojtari i ka nënvizuar presidentit Perez se nuk do ta pranojë rinovimin e kontratës, që skadon më 30 qershor 2020.

Igli Tare flet “pa doreza”!

Drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, i cilësuar edhe nga shumë media si një nga më të mirët në Seria A, në një intervistë për Zona Gol në Supersport, foli për ndeshjen e parë të ekipit të tij, në humbjen me Lacion, ku ishte i zhgënjyer.

I mërzitur nga humbja e Lacios?

Ta fillosh me humbje nuk besoj se do jesh i gëzuar. Nuk ishte e pritshme, por erdhëm me shumë probleme në këtë ndeshje. 3 lojtarë i patëm të skualifikuar. Dëmtime edhe si Lukaku apo Berisha. Edhe 3-4 lojtarë të kthyer nga Botërori, dhe kanë afro 2 javë stërvitje me skuadrën. E rëndësishme është që skuadra është aty, por kjo humbje do të jetë një eksperiencë për të mos u përsëritur më. Ishin disa minuta dje, ku ekipi pati “blackout”. Duhet të jemi të kujdesshëm, dhe të shohim përpara, pasi skuadra ka kualitet.

Ka kaluar mërzitja e lacialëve, për humbjen në javën e fundit me Interin që nuk kapët Champions?

Djeg akoma, pasi futbolli i ka këto, ndaj një skuadra që nuk goditi asnjëherë portën, por me penallti dhe goditje standarte fitoi ndeshjen. Ne patëm një sezon shumë të mirë, dhe e meritonin Champions. Këto janë eksperienca që të japin ide se si duhet të jesh, dhe çfarë të mos bësh këtë sezon.

Më e lehtë futbollist, kapiten apo drejtues?

Të jem i sinqertë, do doja futbollistin. Fati i keq apo i mirë për mua, ishte dalja e papritur, pasi nuk e prisja të dilja ashtu, por fat i mirë ishte sepse ajo zgjidhje ishte e vështirë, sepse nuk e kisha bërë asnjëherë, por mbështetja që kam pasur nga Lotito, ka qenë e jashtëzakonshme. Tratativat e tij kanë qenë shumë të dobishme, nga ku kam mësuar shumë. Është një profesion që të jep shumë, por të merr edhe shumë. Kam arritur një ekseperiencë të madhe, por jeta është e tillë që dua të mësoj diçka të re çdo ditë.

Ku bazohesh që pikas një talent të ri? Pozicioni që ka, apo duke parë nevojat e skuadrës?

Unë kam disa parametra që janë shumë të rëndësishëm, për nivelet e larta. Lojtarët që përzgjidhen, duhet të interpretojnë disa pozicione dhe role. Për sa i përket skuadrës, skuadra duhet të ketë një filozofi fituese, por nuk është e lehtë, sepse edhe mënyra e interpretimit që kemi ne si skuadër, është se shënojmë shumë, por edhe pësojmë shumë. Lacio është e vetma skuadër që luan me 3 mbrojtës tipik, dhe me 2 anësorë shumë ofensivë. Me karakteristikat e lojtarëve që kemi, kur rikuperojmë topin, dalim shumë shpejt në kundër sulm. Duhet të përmirësojmë shumë fazën difensive, sepse disa gola mund të evitoheshin sezonin e kaluar, dhe nuk duhet të harrojmë që për 1 gol nuk arritëm dot Champions.

Në Itali, është e vështirë që të mbani lojtarë të rëndësishëm. Sa e vështirë është të mbani këto lojtarë, si Milinkoviç-Saviç, më i kërkuari në Europë?

Problemi ynë është që kemi një situatë, që duhet të shesim, për të përmirësuar buxhetin, por edhe të rritësh nivelin e rrogave, apo të investosh tek të rinjtë. Këtë gjë kemi munduar ta evitojmë. Kemi dashur të mbajmë një nivel kompetitiv të skuadrës, në çdo sezon, pasi nuk është vetëm ana financiare, por edhe të kesh objektiva të rëndësishëm. Është prioritet për ne, pasi kemi krijuar një ambien pozitiv në klub. Të gjithë lojtarët që janë larguar, por edhe ata që gjenden aty, është se kanë një lidhje me qytetin, dhe duan të rikthehen ata që janë larguar. Kjo gjë më bën krenar, dhe e theksoj gjithmonë se Lacio duhet të jetë një pikë arritje për lojtarët, jo një pikë nisje. Por, rruga sa vjen e bëhet më e vështirë. Kemi një projekt ambicioz, dhe shpresojmë që koha të na japë të drejtë.

Do ishte mirë të lëvizje në një shtet tjetër?

Raporti im me Lacion është shumë i thellë, sepse kam shumë vite, si futbollist dhe drejtues. Edhe vetë, ia bëj vetes këtë lloj pyetje. Kam pasur shumë oferta nga kampionate të rëndësishëm, por nuk e kam menduar ta bëj këtë hap në karrierë, por në të nesërmen, pse jo.

Ju donte Milani? Apo ka pasur edhe oferta nga Gjermania e Anglia?

Çdo fjalë që unë flas këtu, nesër është në shtypin italian. Do ta evitoj me vetëdije këtë gjë. Kjo është zgjedhje që është bërë tashmë. Ka pasur edhe oferta nga klube të tjera, angleze dhe gjermane.

Reali ofertë për Milinkoviç?

Reali nuk ka pasur asnjë ofertë për të. Nuk është as Tare, as Lotito që e ka mbajtur, por lidhja e tij është shumë e fortë me Lacion. Gjithsesi, ne nuk do ia bllokojmë kurrë rrugën në të ardhmen, nëse ai do të dojë të largohet

Po Juventusit i keni dhënë ndonjë përgjigje negative për Milionkoviç-Savic?

Juventusi ka pasur interesim për Milinkovic-Saviç. Gjërat nuk janë konkrete. Ai do të jetë lojtar i Lacios deri në fund të sezonit.

A do ju pëlqente të ishit në një klub ku nuk mungojnë milionat, apo në një që nuk shpenzon shumë. ..

Kam provuar variantin e dytë. Nuk di të them kush është më e mira. Lotito është numri 1 në Itali, për menaxhimin e një klubi. Çdo problem e kemi kaluar bashkë. Është gjenial për menaxhimin. Kemi shlyer të gjitha borxhet, kemi mbajtur skuadrën në nivel kompetitiv, duke rritur cilësinë e klubi. Merita është e tij padyshim.

Cila është magjia e Iglit që bindi Lotiton për ta bërë drejtor?

As vetë nuk e prisja që do ndodhesha në këtë profesion. E kam treguar edhe mënyrës si erdhi kjo zgjedhje. Ishte çmenduri nga ana e tij. Nuk mund ta besoj se do me ofronte këtë kontratë. U futa si lojtar dhe dola si drejtor. Do dalësh nga një derë e madhe dhe do futesh po nga dera e madhe, ishin fjalët e tij. Nuk do ti harroj. Atë që më ke treguar si lojtar, do ma tregosh edhe si futbollist, më tha ai. Do jem mirënjohës, për atë zgjidhje që bëri. Nuk është raport profesional, por shumë miqësor. Kemi grindje shumë të forta, por harrohen komplet dhe s’kanë ndodhur asnjë. Raporti është konsoliduar, dhe për mua do ngeli gjithmonë i tillë.

Si e shikon Igli nga jashtë ekipin Kombëtar në drejtimin e Panuçit?

Nga jashtë nuk më pëlqen të komentojë punën e të tjerëve, sepse është shumë e thjeshtë. Nuk do të kisha dëshirë ta komentoja. Doja të thoja që është një ndryshim gjerenacionesh. Duhet t’i jepet kohë. Koha është e lidhur me rezultatet dhe lojën. Në qoftë se loja do të jetë e bindshme dhe rezultatet nuk vijnë, duhet t’i japin kohë. I jep rëndësi disiplinës, por ndonjëherë do ishte produktive që të gjente dozën e duhur për ti gërshetuar gjërat. Duhet të ndërthurë eksperiencën që ka.

Pse shpenzuan kaq shumë klubet italiane këtë sezon në merkato?

Nuk është vetëm këtë vit. Edhe 3 vitet e fundit, shifrat kanë qënë 1.3 miliardë euro. Efekti i ardhjes së Ronaldos, është shumë pozitiv. Është një efekt domino, sepse u pa nga lëvizjet e skuadrave. Edhe skuadrat e dorës të dytë, si Torino, Sampdoria, Fiorentiana. Do jetë një nga kampionatet më të bukura të futbollit italian. Mesatarja e tifozëve ka qenë nga më të lartat në 20 vitet e fundit. Në 2 vitet e fundit po kërkohet stabilitet në futbollin Italian. Në Ligat e mëposhtme ka shumë problem financiare. Në momentin që këto gjëra do zgjidhjen ,e ardhmja do jetë shumë pozitive.

Portieri i Romës u shit 80 milionë euro. Sa vjen Thomas Strakosha?

Në qoftë se Alison u shit 80 milion euro, Strakosha vjen 81 milionë euro.

Hysaj?

Bëri ndeshje shumë të mirë. Do doja ta shikoja, atë lojë që shfaq te Napoli me Kombëtaren.

A mund të bëhesh trajner i Kombëtares në të ardhme?

Fusha është e padiskutueshme. Ke mundësi ti japësh zgjidhje problem. Jashtë tensioni është më i madh. Stresi është i lartë. Për sa i përket trajnerit, të gjithë e ngrejnë dorën për trajnerin e Kombëtares. Është një dëshirë, sepse jemi të gjithë tifozë. Në qoftë se do të kisha një ëndërr do të mbyllja sytë, për tu bërë trajner i Kombëtares, nuk është eutopi. Por nuk e kam në plane për momente.

Në qoftë se do të ishe futbollist, sa do vlente Igli Tare?

Jam njeriu më i lumtur në botë. Ja them vetes time çdo mëngjes. Më pëlqen të rri me këmbë në tokë. Kam pasur mundësi të bëj një karrierë shumë të madhe. Ndoshta mund ta bëja më të madhe. Ka qënë rrugë shumë e vështirë, por fitimtare, nuk i vë dot një çmim. Çdo ditë e rë është një mundësi e re. Jam krenar që me aq mundësi sa kam e ngreh lart imazhin e shqiptarëve. Mundohem të jap një shembyll pozitiv, e di që ndiqem shumë nga shqiptarët.

Për lojtarët shqiptarë të afruar te Lacio…

Janë 3 me skuadrën e parë dhe 6 me Primaverën. I kam zgjedhur vetëm me vlerat. Nuk e mohoj që fakti se janë shqiptar, bën që vëmendja të jetë e veçante. Njëkohësish jam edhe kritikë. Pritshmëri ndaj tyre është e madhe. Si nga sjellja ashtu edhe nga redimente. Ata duhet të jenë të zotët, për të hapur derën dhe për të nisur një karrierë të madhe

Me cilin vend do të ishit të kënaqur?

Në vendin e 4-t do të isha i lumtur. Eurola League mbetet një objektiv, por është shumë i vështirë. Rrugë e gjatë. Nga fundi i sezonit gjërat vështirësohen, forma rëndohet. Objektiv i realizueshëm, por shumë i vështirë.

Kush e fiton kampionatin?

Për kampionin e Italisë nuk shoh asnjë. Do ketë surpriza, niveli është rritur shumë. Juventusi qëndron absolutisht pretendent.

E ndiqni kampionatin shqiptar?

Superligën e ndjek me shumë vëmendjen. Jam kritik, pasi janë bërë hapa përpara për infrastrukturën, por ka mbetur i njëjti mentalitet i viteve të shkuara. Nuk e shoh më, pasi nga Janari e më pas vendoset nëpër tavolina, dhe kjo nuk më ka pëlqyer asnjëherë.

“Mesfushori i Shqipërisë u ble nga një trafikant”, media zbulon skandalin me Qakën!

Ishte një transferim i bujshëm, por fare pak javë pasi ndodhi, po zbulohen edhe hijet e dyshimit me të cilat ishte veshur. Transferimi i Kamer Qakës drejt Steauas së Bukurteshtit, dyshohet se ka pasur lidhje me njerëz që kanë shkelur rregulloret e FIFA-s, por edhe nga njerëz që në të shkuarën e tyre kanë shkelje të rënda ligjore, si përfshirje në organizata kriminale dhe të përfshirë në skandale vjedhjesh.

Dyshimi – Hijet e skandalit janë zbardhur nga mediat rumune. “GSP.ro” ka bërë me dije se në transferimin e Kamer Qakës është përfshirë një kompani, e cila zotëron 25% të vlerës së kartonit të tij. E nga sa bëhet me dije, një palë e tretë e emërtuar “hedbo futboll” që zotëron kartonin e një futbollisti, është diçka e ndaluar nga FIFA. Për këtë, media në fjalë zbulon se kompania e drejtuar nga Arkadie Zaporojanu dhe Viorel Bodiu ka pasur bashkëpunim të ngushtë me skuadrën e Poli Iasit. Vetë presidenti i kësaj të fundit ka pranuar në një intervistë në lidhje me bashkëpunimin që ka pasur me këtë kompani, edhe pse nuk ka deklaruar saktësisht se çfarë marrëdhëniesh kontraktuale ka ekipi i tij me “hedbo futboll”.

Trafikanti – E si të mos mjaftonte vetëm kjo, në lidhje me kalimin e shqiptarit te Steaua, duket se kompania në fjalë ka një tjetër shkelje të rëndë. Krahas rregullores në lidhje me përqindjen e vlerës së kartonit, diçka e cila nuk është zbardhur plotësisht as nga dokumentacioni zyrtar, kompania në fjalë drejtohet nga njerëz që kanë të shkuar kriminale. Investigimi i medias rumune zbardh të shkuarën e numrit dy të kompanisë, i cili në të shkuarën është përfshirë në Itali në një skandal vjedhjeje dhe trafikimi të makinave luksoze. Bëhet fjalë për Viorel Bodiu, i cili edhe momentalisht e ka të ndaluar futjen në Itali, për shkak të së shkuarës kriminale. Edhe media në fjalë ka lënë të kuptohet se vetë futbollisti është i pafajshëm dhe pa dijeni në lidhje me kompaninë në fjalë, e cila për të ka shërbyer vetëm si kompani menaxhimi.

Më në fund një lajm i mirë për Panuçin!

Ndeshjet e “Nations League” ndaj Skocisë dhe Izraelit po afrojnë dhe trajnerit të kombëtares tonë i duhet të bëjë mirë llogaritë, pasi situata është larg optimales. Një pjesë e mirë e lojtarëve kanë hasur probleme me dëmtimë të ndryshme dhe nuk janë kthyer në ritmin e lojës, ndërsa sulmuesit tanë nuk po tregohen dhe aq produktiv. Por, nuk ka vetëm lajme të këqija për teknikun italian.

Një ndër problematikat më të mëdha të kombëtares gjatë muajve të fundit ka qenë roli i mbrojtësit të majtë. Vendimi i Panuçit për të nxjerrë në “pension” Ansi Agollin nuk kaloi dhe aq lehtë. Por, zgjidhja e këtij problemi duket se vjen nga Suedia, dhe pikërisht tek ekipi i Malmos, ku luan 22-vjeçari Egzon Binaku.

Binaku luajti një 90-minutësh të plotë në ndeshjen e skuadrës së tij ndaj Trelleborgut. Malmo fitoi me rezultatin 3-0 dhe mbrojtësi i kombëtares tonë siguroi dhe një asist. Binaku u grumbullua për herë të parë me kombëtaren tonë për miqësoret ndaj Kosovës dhe Ukrainës, por një dëmtim i hoqi mundësinë e debutimit. Le të shpresojmë që në shtator të ketë pak më shumë fat.

“Derbi” Strakosha-Hysaj, ja notat e futbollistëve shqiptarë

Napoli mposhti Lacion në “Olimpico” në takimin e javës së parë të Serisë A. Edhe pse lacialët kaluan të parët në avantazh, skuadra e Ançelotit arriti të përmbyste rezultatin falë golave të Milik dhe Insinjes.

Një përballje e veçantë pasi në fushë ishin 2 lojtarët e Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj dhe Thomas Strakosha. Që të dy bënë paraqitje të mira, pavarësisht se në fund ishte shkodrani ai që festoi. Nuk mund të mungonte vlerësimi i mediave italiane në fundin e ndeshjes: Me notën 6 u vlerësua portieri Strakosha, ndërsa Hysaj 6.5.

Hysaj 6.5 – Mbrojtësi shkodran bën një ndeshje të shkëlqyer në fazën mbrojtëse, duke mos lënë asnjë hapësirë në prapavijë. Aspak fajtor në pësimin e golit, pasi erdhi në krahun tjetër të fushës. Meritë absolute edhe te goli i fitores, pasi dha krosimin final.

Strakosha 6 – Për fat të mirë për të, arbitri Banti anulon një gol në minutën e 41-të takimit, për të cilin Strakosha do të kishte përgjegjësi të mëdha. Bëri shumë pritje shpëtimtare dhe nota e tij mund të ishte më e lartë, po të mos kishte pësuar 2 gola.

Derbi shqiptar në debutim, Ançeloti: Kam emocione

Elseid Hysaj dhe Thomas Strakosha do kenë diçka për t’i thënë njëri-tjetrit, sot, në “Olimpico” të Romës: do flitet për pushimet, por mbi të gjitha në mendje do jetë sfida Lacio-Napoli.

Një “derbi” mes shqiptarëve në javën hapëse të Serisë A (nga stoli, për Simone Inzagin, do jenë të gatshëm edhe Riza Durmishi e Valon Berisha, të dëmtuar), që nis me Kievo-Juventus (ora 18:00), ndërsa në mbrëmje (20:30) mbrojtësi dhe portieri do përpiqen ta nisin me fitore sezonin e ri. Do jetë, ndër të tjera, edhe “debutimi” në stolin e Napolit i Karlo Ançelotit, pasi trajneri “veteran” italian prishi kontratën me Bajernin e Mynihut. Flet Ançeloti – Edhe pse ai lëshoi alarmin dhe nuk ka qenë aspak i kënaqur nga faza përgatitore që ka bërë Napoli i tij, sidomos në detyrat mbrojtëse, gjithsesi Karlo Ançeloti paraqitet i qeshur përpara këtij debutimi.

“Jam i emocionuar, mjaft i lumtur sepse rikthehem në Itali pas 9 vitesh. Shumë gjëra kanë ndryshuar. Sa kohë do të duhet për të parë Napolin e vërtetë? Mendoj se që me Lacion do të jemi të balancuar. Disa teste kanë shkuar mirë, disa të tjerë më keq, por kur ndryshon, koha është e domosdoshme dhe mos prisni ndonjë revolucion nga unë. Sfida me Lacion? Nuk do të jetë e lehtë, sepse do të kemi përpara një skuadër që luan shpejt, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm nëse duam që ta nisim mirë”, tha trajneri i Napolit.